Skema e dështuar e TVSH, rritja e importeve të bulmetit nga Serbia u favorizua nga skema fiskale

Ndryshimet e vazhdueshme nga qeveria të skemës së kompensimit të TVSH-së në sektorin e blegtorisë kanë rritur nevojën për importe të bulmetit nga jashtë vendit.

Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë vitit 2021, tregojnë se importet e bulmetit, vezëve dhe mjaltit u rritën me 27% vitin e kaluar, duke arritur vlerën totale prej 4,7 miliardë lekësh (38,8 milionë euro).

Konkretisht importet në këtë grup udhëhiqen nga bulmeti dhe se rritja gjatë vitit 2021 është krijuar nga shtimi i importeve të qumështit nga Serbia, e cila ka ndikuar në 25% të totalit të rritjes totale.

Importet e bulmetit nga ky vend arritën në 327 milionë lekë në vitin 2021, me një rritje 251% në raport me vitin 2020.

Importuesit kryesorë janë fabrikat e qumështit, disa prej të cilave furnizohen me lëndë të parë nga Serbia, për shkak se kostot shpesh janë më të ulëta se ato nga tregu vendas. Serbia ishte partneri i tretë tregtar pas Italisë dhe Gjermanisë në importet e bulmetit dhe vezëve.

Rritja e importeve të qumështit u favorizua më së shumti nga një skemë fiskale e pafavorshme që u ndoq pas vitit 2019. Para këtij viti, në skemën e vjetër, vlera e kompensimit të TVSh-së ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019 është 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit është së paku trefish më e lartë.

Nga 1 janari 2022, TVSH e kompensuar është zero, ndërsa fermerët do të kompensohen, sipas një skeme që ende nuk është bërë e ditur nga Ministria e Bujqësisë. Heqja e kompensimit të TVSH-së u kundërshtua fort nga prodhuesit e qumështit, me argumentin se do të rriste më tej kostot e prodhimit dhe do të reflektohet në shtrenjtimin e çmimeve.