Leipzig përfundon në gjykatë kundër kufizimeve për shkak të pandemisë
Nënkampionët e Bundesligës, Leipzig, bëhen klubi i parë në kampionatin gjerman që apelon në gjykatë kundër kufizimeve për hyrjen e tifozëve në stadiume për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.
Klubi gjerman raportoi këtë të shtunë se ka bërë një kërkesë për një masë paraprake të cilën e ka depozituar për ta kaluar me procedurë të shkurtuar pranë Gjykatës së Lartë Administrative të shtetit federal të Saksonisë, me seli në Bautzen.
Në Saksoni aktualisht ka një kufizim maksimal të lejimit të tifozëve në aktivitete sportive prej vetëm një mijë personash në stadiume.
Pra në këtë shtet ndryshe nga situata në shtetet e tjera federale, ku lejohet të hyjë një numër më i madh tifozësh deri në 10 mijë persona, ka kufizime të forta dhe këtë vendim Leipzig kërkon ta ndryshojë në Gjykatë.
Bundesliga rivillon javën e ardhshme por gjithsesi Leipzig do të luajë në Bavari me kampionët në fuqi të Bayernit dhe synon që javën pasardhëse të ketë marrë dhe vendimin e Gjykatës për të lejuar pranimin e të paktën 10 mijë tifozëve në stadiumin e saj./Ora News/.
