Sulmet e Veliajt ndaj Dukës. Presidenti i UEFA-s, Ceferin të Hënën takon Ramën

Do të jetë vetë presidenti i qeverisë së futbollit europian, Aleksandër Ceferin ai që siç duket do të vijë për t’i dhënë fund ndërhyrjeve në futboll nga politika.

Kryetari i Bashkise së Tiranës, Erion Veliaj nisi një fushatë sulmesh dhe ndërhyrjesh të forta në zgjedhjet për Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës duke kërcënuar anëtarët e saj e më pas kjo luftë u zgjerua saqë edhe nga Bashkitë e tjera të vendit po ndërhyjnë.

Duke parë një situatë të tillë, numri 1 i UEFA-s është detyruar të zbarkojë në Tiranë në një vizitë të paplanifikuar këtë të Hënë.

Siç mësohet do të jetë një vizitë disa orëshe ku Ceferin do të takojë kryeministrin Rama për të kuptuar dhe sqaruar situatën me ndërhyrjet në zgjedhjet e FSHF por ndërkohë do të diskutohet edhe për shqetësimet që ka UEFA me të drejtë, për finalen e Conference League në Tiranë.

Sigurisht që presidenti Ceferin do të ketë edhe takim me presidentin e Federatës, Armand Duka ku do të konfirmojë mbështetjen e sigurisht që do të solidarozet personalisht për ngjarjen e rëndë të ndodhur.

Shpërthimi në banesën e kreut të Federatës, Armand Duka është një akt i rëndë dhe për UEFA-n duhen tashmë konfirmime edhe nga qeveria për mbarëvajtjen e një finaleje e cila do të shikojë për një ditë ta shndërrojë Tiranën në një kryeqytet europian me mijëra tifozë të pranishëm.

Duket se e Hëna do të jetë edhe dita që do t’i vihet kapak luftës së politikës ndaj futbollit dhe zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit./Ora News/.