Ngricë dhe dëborë në Korçë, sfida Skënderbeu-Teuta spostohet në “Elbasan Arena”

Skënderbeu-Teuta luajtën në mesjavë në Korçë për Kupën e Shqipërisë dhe fati bashkë me kalendarin e deshi që këto dy skuadra të luajnë sërish të Hënën për Abissnet Superiore.

Ndeshja e javës së 18-të në fakt nuk do të luhet sërish në Korçë pasi siç u pa në ndeshjen e Kupës, terreni ishte i papërshtatshëm dhe fusha e mbuluar me dëborë e bënte thuajse të pamundur për të bërë një ndeshje normale futbolli.

Në kushte të tilla, Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërhyrë dhe me miratimin nga të dyja klubet ka vendosur ta spostojë këtë ndeshje nga Korça për në Elbasan.

Data dhe ora nuk ndryshojnë teksa të Hënën, dueli i radhës Skënderbeu-Teuta do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në kushte më të mira atmosferike por dhe me një fushë në gjendje shumë të mirë./Ora News/.