Shehi: Sfida me Kukësin vlen vetëm 3 pikë, kampionati është i gjatë
Superdueli Tirana-Kukësi do të jetë ndeshja më e rëndësishme e javës së 18-të të Superiores. Dy skuadra që po luajnë shanset për tituj do të përballen në “Air Albania” në orën 16:45 dhe për trajnerin Orges Shehi kjo ndeshje vlen 3 pikë si të tjerat duke kujtuar se kampionati është ende i gjatë.
"Me Kukësin është një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare pasi ne e trajtojmë vetëm si sfida e radhës që vlen tre pikë. Kampionati është ende shumë i gjatë dhe nesër mbyllet vetëm gjysma e rrugëtimit, ndaj jemi larg sfidave vendimtare. Një bilanc do ta bëjmë padyshim pas sfidës së nesërme, megjithatë mund të them se kemi bërë një kampionat të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të mos i vendosim limite vetes”.
Trajneri i bardhebluve bëri dhe një panorama të grupit që ka në dispoizicion teksa foli edhe për përballjet e mëparshme me Kukësin.
“Grupi i lojtarëve është i plotë dhe do të jenë të gjithë të gatshëm për sfidën e nesërme. Edhe Hoxhallari që kishte një shqetësim të vogël e ka kaluar dhe është gati për të luajtur. Nuk ndikon aspak në aspektin psikologjik bilanci me Kukësin. Ka skuadra që na ka ecur, si ndaj Vllaznisë, por ka edhe si Kukësi që nuk kemi pasur bilanc pozitiv në ndeshjet e fundit.”, deklaroi trajneri i Tiranës./Ora news/.
