"Larg duart nga futbolli. Vendosim vetë kreun e FSHF-së" Kastrioti e Kukësi solidarizohen me Armand Dukën

KS Kastrioti solidarizohet me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 24 janarit 2022, ku një shpërthim me tritol pranë shtëpisë së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tronditi jo vetëm atë dhe familjen e tij, por mbarë komunitetin e futbollit shqiptar.

"Klubi ynë dënon me ashpërsi këtë akt të paprecedentë dhe fton organet kompetente të zbardhin këtë ngjarje të shëmtuar" thuhet në një njoftim të tyre.

Gjithashtu shprehet shqetësimi për ndërhyrjen e politikës në futboll

"Shohim ditët e fundit një ndërhyrje flagrante të politikës në futboll. E ftojmë të qëndrojë larg sportit tonë dhe të distancohet nga çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, ku komuniteti i futbollit do të vendosë vetë për drejtuesin e FSHF-së për 4 vitet e ardhshme. Politika nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vend në futboll!" thuhet në deklaratë

Edhe Futboll Klub Kukësi ka shprehur solidaritetin

"Futboll Klub Kukësi i gjendet pranë Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe familjes së tij, pas aktit të rëndë të së hënës, ku një lëndë eksplozive shpërtheu në shtëpinë e tij në Durrës. Klubi ynë shpreh solidaritetin tonë të plotë me kreun e FSHF-së në këto çaste të vështira dhe urojmë që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë!"