S'ka ilaçe për fëmijët, kriza humanitare gjunjëzon vendin

Situata në Afganistan paraqitet e rëndë. Kriza e urisë dhe varfëria ka pllakosur në vend. Mediet ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje për ndihma sa më të mëdha, pasi qindra mijëra qytetarë nuk kanë as batanije dhe fëmijët nuk kanë ilaçe.

UNICEF ka bërë thirrje për donatorët ndërkombëtarë që të ndihmojnë fëmijët afganë të cilët po humbin jetën edhe për sëmundjet më të lehta.

Qeveria e re talibane ka kërkuar ndihma nëpër vende të ndryshme, teksa vendet rrotull dhe ato me shumicën e popullsisë islamike kanë premtuar ndihma. Ndërkohë, Perëndimi e kushtëzon ndihmën e tij me ndërmarrjen e hapave të talibanëve për të luftuar terrorizmin dhe për të lejuar shkollimin e grave dhe vajzave, disa nga të drejtat më elementare të njeriut.

Një apel kishte edhe shefi i programit ndërkombëtar të ushqimit që foli për mbi 20 milion afganë që janë në zgrip të urisë.

Më herët, talibanët ishin në Oslo për të biseduar me aktorët politikë e humanitarë perëndimorë mbi ndihma të mundshme për Afganistanin. Ata e cilësuan të mirë takimin, teksa perëndimi përsëriti edhe një herë se kushti për ndihmë është zbatimi i të drejtave të njeriut, ku të fillohet me gratë dhe vajzat që të lejohen të shkojnë në shkollë