Pallat i ri pas tërmetit, themele të vjetra, banorët në Durrës denoncojnë punimet pa cilësi
Cilësia e punimeve të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 mbetet shqetësim në Durrës. Këtë të hënë, banorët e një pallati protestuan para bashkisë pasi sipas tyre objekti i ri po ngrihet mbi themelet e vjetra.
Pallatin në lagjen nr.7 në Durrës ua shembi tërmeti dhe prej më shumë se 2 vitesh 25 familje presin që të kenë një kulm mbi kokë.
Por, kur punimet më në fund kanë nisur, banorët janë të pakënaqur.
Ata pretendojnë se cilësia e punimeve është mjaft e dobët.
"Ne na duket sikur është duke u bërë një park lodrash, për të kaluar radhën, për të marrë lekët e t'i fusin në xhep."
Thonë se godina e re, po ringrihet sipër themeleve të pallatit që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
"Themelet ekzistuese thjesht janë mbuluar me zhavorr dhe çakull dhe pas kësaj kanë shtuar 2 rrjeta tela e i kanë hedhur beton. Sipër kësaj do bëhet pallati. Si mund të bëhet një pallat 6-7 katësh pa themele."
"Faktikisht ne kemi shkuar kemi parë përditë dhe shohim se nuk po hiqen themelet e vjetra, po e bëjnë mbi themelet e vjetra."
Të hënën ata kërkuan një takim me kryetaren në detyrë të bashkisë së Durrësit Emirjana Sako për të shprehur shqetësimin e tyre.
"Me atë punimin duket sikur po bëjnë një barake."
25 familjet ndihen të rrezikuar që do të futen në apartamentet e reja, ndërsa sipas tyre kushtet teknike nuk janë zbatuar siç duhet.
Në vazhdimësi në Durrës, ka pasur ankesa për cilësinë e ndërtimit të objekteve të reja dhe rikontruksionin e objekteve të dëmtuara.
