Gjendet dy persona të vdekur në Fier dhe Lushnje, njëri dyshohet se ka ndërruar jetë nga droga

Një person është gjendur i pajetë ditën e sotme në lagjen “1 Maj”, Fier, në një banesë të pabanuar.

Sipas policisë, mbi trupin e 36-vjeçarit nuk janë hasur shenja dhune dhe dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur nga përdorimi i lëndëve narkotike.

Po ashtu, në Lushnje është gjendur i shtrirë në rrugë, pa shenja jete dhe pa shenja dhune në trup, shtetasi E. G., 84 vjeç.

“Sot rreth orës 16:10, në lagjen “1 Maj”, Fier, në një banesë të pabanuar, është gjetur i pa jetë, shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Mallakastër. Nga këqyrja paraprake nuk dallohen shenja dhune (dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur nga përdorimi i lëndëve narkotike). Ky shtetas është shpallur në kërkim në datë 19.01.2021 nga Komisariati i Policisë Mallakastër pas denoncimit të bërë nga babai i tij për largim nga banesa.

Rreth orës 16:50, në afërsi të rotondos së fshatit Kolonjë, Lushnje, është gjetur i shtrirë në rrugë, pa shenja jete, pa shenja dhune, shtetasi E. G., 84 vjeç,  banues në fshatin Rrapëz, Lushnje. Dyshohet se vdekja mund të jetë për shkaqe natyrale.” – bën me dije policia.

Grupet hetimore po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjeve.