Ankesa për transportin urban në Tiranë, qytetarët: Vonesa deri në 50 minuta
Transporti publik në tiranë nuk ka pësuar asnjë përmirësim pavarësisht premtimeve dhe propagandës së kryebashkiakut të Tiranës. një vëzhgim i Ora News konstatoi vonesa deri në 50 minuta të urbanëve në stacione, shpesh e qëllimtë për të grumbulluar sa më shumë pasagjerë. Qytetarët ankohen për faktin se nuk kanë ku të ulen ndërkohë që cenohen edhe masat anti covid. Nga ana tjetër studentët thonë se nuk po gjejnë abone në pikat e shitjes.
Transporti publik në Tiranë me cilësinë e dobët të shërbimit është kthyer në stres për qytetarët.
Mos-respektimi i orarit si pasojë e vonesave të gjata të urbaneve në stacione janë shqetësimi kryesor.
Pjesa më e madhe e linjave kanë vonesa 20 deri në 50 minuta, shpesh të qëllimshme për të mbledhur sa më shumë pasagjerë, duke shkarkuar mbingarkesë në urbane.
“Kanë shumë vonesë. Presim 20 minuta, pasi vijën shumë rrallë.”
“Pres mbi 45 minuta se vetëm dy urbanë janë të linjës së Qytetit Studenti. Janë të gjithë kohës të mbingarkuar.”
“Ka raste edhe mbi 30 minuta.”
Në kushtet kur janë të detyruar të qëndrojnë ngjitur me njëri-tjetrin për shkak të numrit të madh të pasagjerëve, qytetarët thonë se respektimi i rregullave anti-covid është pothuajse i pamundur.
Përveç distancës, edhe përdorimi i maskës është një tjetër masë që neglizhohet.
“Nuk i respektojnë, moshat e reja nuk përdorin maskë.”
Studentët shprehen të shqetësuar edhe për mungesën e aboneve të cilat janë hequr nga pothuajse të gjitha pikat e shitjes.
“Është shumë e vështirë t’i gjesh pikat për shitje abonosh dhe gjithë kohës na thonë se nuk ka.”
Transporti publik në qytetin e Tiranës mbulohet nga 10 operatorë privatë, të licencuar nga Bashkia e Tiranës dhe ofrojnë shërbimin e tyre në 15 linja me shtrirje në gjithë qytetin.
Pavarësisht denoncimeve dhe ankesave të vazhdueshme Bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjë masë për të përmirësuar shërbimin, ashtu siç është premtuar shpesh herë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

