Rama në pritje të popullit, Çano: Përgjigjet e pyetësorit do të përdoren për vendimmarrjet e qeverisë

Kryeministri Edi Rama ka angazhuar të gjitha mekanizmat dhe burimet njerëzore, nga ekzekutivi deri tek deputetët e tij për të shpërndarë pyetësorin me 12 pyetje. Por mbetet ende e paqartë se si do të përdoren nga qeveria rezultatet e këtij këshillimi, të cilat nuk janë publike për qytetarët.

Edhe pse është një ide që Kryeministri Edi Rama ka dashur ta projektojë prej kohësh, këshillimi me qytetarët është aktivizuar në një moment që opozita ndodhet në një luftë të brendshme, duke e lënë qeverinë të veprojë e lirë me çdo nisëm të saj. Por ndryshe nga ajo çfarë shkruhet në nisje të 12 fjalive “ka njerëz që thonë”, Eridana Çano drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisjes  tregon që për këto pyetje sugjestionuese qeveria është konsultuar me disa institucione.

"Kemi folur me INSTAT se si duam ta ngremë këtë institucion dhe me institucionet e ministritë e linjës," tha Çano.

Nuk është një sondazh ku rezultatet e pjesëmarrjes apo të përgjigjeve do të jenë online të aksesueshme nga publiku, por qeveria ka lënë një afat për publikimin e tyre pasi të njihet fillimisht me to.

"Një muaj afat për të agreguar të gjitha të dhënat dhe për të dal në një konkluzion dhe për të dhënë rezultate," shtoi ajo.

Mbetet ende jo transparente mënyra se si do të përdoren përgjigjet e qytetarëve nga qeveria, pasi ata do të pyeten për çështje mjaft sensitive duke nisur me kultivimin e kanabisit, amnistinë fiskale apo ashpërsimin e dënimeve penale apo evazionit fiskale.

"Merret mendimi dhe perceptimi i qytetarëve sigurisht për të pasur një Feedback më pas në realizimin e iniciativave të mëtejshme të qeverisë shqiptare," tha Çano.

Rama ka angazhuar që nga institucionet deri tek deputetët për të bërë fushatën e kësaj nisme që shkon tek qytetarët nëpërmjet 3 mekanizmave.

"Nëpërmjet postës një pyetësor arrin në çdo familje shqiptare. Kemi metodën online dhe çadra në çdo qendër të bashkive më kryesore në vend," tha Çano.

Qeveria nuk e shmang dot plotësimin e formularin online dhe fizikisht nga i njëjti persoon, por këtë e ka lënë në mirëbesim të qytetarëve.

"Dikush që e ka bërë online, nuk shkon të mbushë letrën në shtëpi e ta kthejë në postë," përfundoi ajo.

Për realizimin e kësaj iniciative të Edi Ramës qeveria ka alokuar një fond prej 25 milionë lekësh për paga të punonjësve të rinj që janë rekrutuar nga agjensia.