LSI kundër Ramës dhe Bashës, Kryemadhi: Më 25 prill kishim në krah një armik, Parlamenti teatër
Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë hapur kundër ish-aleatit të 25 Prillit Lulzim Basha. Në krah të rinjve të kësaj force politike, kryetarja Monika Kryemadhi ka akuzuar shefin e selisë blu si një armik që i tradhtoi nismat e opozitës, duke u bërë bashkë, sipas saj me kryeministrin Edi Rama për të marrë peng vendin.
Rezultati i 25 prillit të 2021 ka ndarë përfundimisht dy ish aleatët e opozitës, Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën. Në një moment kur shefi i selisë blu dhe Sali Berisha janë futur në një garë për të marrë mbështetjen e demokratëve për zgjedhjet e pjesshme vendore, kryetarja Monika Kryemadhi akuzon Bashën si tradhtar të luftës së pakicës kundër mazhorancës së Edi Ramës.
"Ne vijmë sot pas zgjedhjeve të 25 prillit përballë sfidave shumë të vështira me pushtetin, me bandat, me pabesitë, me një partneritet të cilin e kishim armik në krah," tha Kryemadhi.
Parlamenti është kthyer në një noter të Kryeministrit dhe për këtë Kryemadhi drejton sërish gishtin ndaj sjelljes së Lulzim Bashës ndaj qasjes së tij të fshehtë me kreun e qeverisë.
"Ne kemi nevojë për një Parlament të vërtetë dhe jo për një Parlament teatër ku nuk është gjë tjetër veçse certifikon aferat korruptive të mbrëmjeve të vona midis dy personave të cilët mbajnë peng sot Shqipërinë," tha Kryemadhi.
Edhe pse është regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 6 marsit, LSI nuk ka nxjerrë deri më tani asnjë kandidatë për bashkitë të cilat janë në garë. Edhe pse ende nuk ka një marrëveshje zyrtare, partia e Monika Kryemadhit pritet ë mbështesë emrat e Komisionit të Rithemelimit të PD më në krye Sali Berishën.
