Shkallmohen dyert e PD Gjirokastër, Aliko: E bëri Roland Bejko, ka dëmtuar edhe databazën
Dyert e selisë së PD në Gjirokastër, janë shkallmuar nga mbështetësit e Lulzim Bashës.
Kreu aktual i PD në Gjirokastër Dasho Aliko, ka dalë me një deklaratë urgjente për mediat për të denoncuar atë veprim vandal sipas tij, që ka ndodhur mesditën e sotme në këtë seli.
I deleguari i kryesisë së PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko, ka zhvilluar një takim me një pjesë të strukturave vendore të PD në Gjirokastër takim ky i organizuar në ambientet e brendshme të selisë së demokratëve në Gjirokastër.
Sipas deklaratës së bërë publike nga kryetari i PD në Gjirokastër Dasho Aliko, Roland Bejko ka shqyer dyert e selisë dhe dëmtuar rëndë materialet dhe logjistikën elektronike përfshirë edhe databazën e të dhënave në sistemin informatik të të dhënave.
“Ky është një akt vandal që nuk i shërben demokratëve” është shprehur Aliko i cili nuk ka kursyer akuzat për Bejkon dhe atyre personave që kanë vënë dorë në selinë e PD duke e shkallmuar.


