Berisha: Nga deputetët te kryeministri do të zgjidhen me primare, jo më emërime me euro
Nga Vau i Dejës, ku ish-kryeministri Sali Berisha, është duke mbajtur një takim me demokratët u shpreh se kryetarët e bashkive, këshilltarët, deputetët dhe kryeministri i vendit do të zgjidhen me votën e demokratëve në primare.
Sipas tij, kurrë Partia Demokratike nuk do respektonte votën e lirë të shqiptarëve nëse nuk respekton votën e lirë të anëtarëve të saj.
Berisha: Do zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive, por këshilltarët, deputetët tuaj, por në një të ardhme të afërt do zgjidhni edhe kryeministrin tuaj. Merr fund praktika korruptive dhe autoritare, praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin. Emërimi do jetë atribut i vullnetit tuaj të lirë për çdo zyrtar që ju përfaqëson ju. Primaret rikthejnë te anëtarësia votën e lirë. Rikthen dinjitetin e tyre. Njeriu që nuk voton i lirë, ka dinjitetin të shkelmuar dhe ju këtë nuk e meritoni kurrë. Njeriu që nuk voton i lirë, ndërgjegjen e tij e ka të lënduar sepse i detyrohet, imponohet të besojë apo të pranojë ato që i dikton bosi i tij tashmë i larguar nga vlerat e lirisë.
Së fundmi, kurrë Partia Demokratike nuk do respektonte votën e lirë të shqiptarëve nëse nuk respekton votën e lirë të anëtarëve të saj. PD nuk do ishte një forcë demokratike nëse nuk respekton këtë votë të lirë. E konsideroj një arritje shumë të madhe, të cilën ju garantoj se e kemi në hapat e para. Ky proces na u imponua me emergjencë kohore, sepse në primaret e tjera për deputetë, kryetar bashkie, këshilltar, nuk do votojnë vetëm anëtarët e PD, por të gjithë votuesit e saj.






