Pa rrugë e ndriçim, në lagjen “Vullnetari” në Elbasan prej 20 vitesh asnjë investim
Në lagjen “Vullnetari” në Elbasan banorët ankohen se prej më shumë se 20 vitesh Bashkia nuk ka bërë asnjë investim. Nuk kanë rrugë e as ndriçim ndaj kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve.
E pashtruar dhe me gropa, e tillë është gjendja në rrugën kryesore të lagjes “Vullnetari” në Elbasan.
Banorët që jetojnë aty prej vitesh, tregojnë se në dy dekadat e fundit në lagjen e tyre nuk është bërë asnjë investim.
Në shumë raste janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të mos lejuar amortizimin e mëtejshëm të rrugës.
"Gropa-gropa, ujë, zhavorr, shqetësim i madh. I gjithë dheu dhe balta shkon në shtëpi."
Kalimi në të vështirësohet gjatë ditëve me shi, sidomos për fëmijët e të moshuarit.
"Kur është shi ikin kalamajtë në shkollë, lagen."
"Kur fillojnë shirat gjithmonë ka probleme sepse mbushet vendi gjithë ujë."
Përveç rrugës, lagjes i mungon edhe ndriçimi.
Bashkia Elbasan e drejtuar nga Gledian Llatja duket se e ka lënë jashtë axhendës së investimeve lagjen “Vullnetari” edhe pse aty jetojnë qindra banorë.
