Kultivonin hashash si fis, mbeten në burg 10 nga 14 të arrestuarit e “Kepit të Vozave”

Gjykata e Matit dha këtë të dielë masat e sigurisë për 14 personat të arrestuar për kultivim të bimëve narkotike në fshatrat e Dibrës. 10 mbeten në qeli, dhe vetëm katër dolën nga burgu në arrest shtëpie për çështje shëndetësore.

Gjykata e Matit mbajti në qeli 10 nga 14 personat e arrestuar për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Lam i Madh në Dibër.

Pas një seance që zgjati për rreth 3 orë togat e zeza caktuan masën burg pa afat për 8 të arrestuar, dhe arrest me afat 30 ditor për 2 të tjerë!

Me ketë vendim në burg mbeten Gëzim Koleci, Vilson Koleci, Idajet Koleci, Lezan Koleci, Mehmet Koleci, Fatjon Doda, Rasim Gjeçuka, Albert Koleci, Gestian Koleci dhe Agim Kolecin.

Ndërkohë 4 të tjerë të cilët ishin me probleme shëndetësore  u lanë arrest shtëpie.

Ata u arrestuan në kuadër të operacionit “KEPI I VOZAJVE", ndërsa në kërkim është shpallur Baftjar Xheçuka, 54 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Kamëz.

Gëzim Koleci, kryeplak i fshatit Lam i Madh, akuzohet se ishte në krye të organizimit për kultivimin përpunimin e lëndës narkotike.

 Vilson dhe Gestian Koleci, sipas hetimit gjenin tregun dhe  merreshin më pas edhe me transportimin e kanabisit.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi lëndë narkotike dhe armë zjarri të cilat mbaheshin pa leje nga anëtarët e grupit kriminal të kultivimit e shitjes së hashashit në Dibër.