41.6 mln lekë për një menu, shpenzimet marramendëse të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në gastronomi

Fondi shqiptar i zhvillimit ka miratuar një tender prej 41.6 milionë lekë që do të jepen për hartimin e një menuje tradicionale gatimi sipas zonave që do të preken nga projekti i qeverisë “Rama”  për “100 fshatrat”. Pas hartimit të menusë FSHZH-ja ka parashikuar dhe hartimin e një libri kuzhine në formën e një guide turistike.

Zbardhen detaje të reja të tenderit me vlerë 41.6 milionë lekë të hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për krijimin e një menuje autentike për projektin e 100 fshatrave.

Referuar dokumentacionit të tenderit në fjalë, rezulton se kompania fituese do të ketë në dispozicion 3 vite për studimin e një menuje.

Detyrat e kompanisë fituese janë përmbledhur në 5 faza dhe nisim me një analizë të kuadrit historik të gastronomisë në 100 vitet e fundit, një analizë të tregut, të produkteve, kostove dhe menuve ekzistuese.

Për këtë do të zhvillohen ekspedita në terren, intervista, takime me aktorët lokalë.

Pas hartimit të një master-menuje në nivel kombëtar, rajonal dhe krahinor, kompania do të duhet të ofrojë një menu të zbërthyer në produkte konkrete për çdo vakt, për çdo zonë dhe në shtrirje sezonale.

Kontrata përcakton qartë se të gjitha produktet që shoqërojnë menutë duhet të paraqesin identitet të fortë lokal.

Ndërkohë, një pjesë e shpenzimeve duket se do të shkojnë për promovimin që do t’i bëhet kësaj menuje.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka menduar përgatitjen e një dokumentari me të paktën 12 episode, i cili duhet të transmetohet në televizion ose mediet online, uebsite, faqe në media sociale dhe hartimin e Librit të Menuse “100 Fshatrat”.

Ky libër do të jetë në versionin shqip, anglisht dhe do të jetë i konceptuar me një format miks mes një libri kuzhine dhe një guidë turistike.

Gjithashtu specifikohet që duhet të jetë i lexueshëm në faqe uebi dhe i gatshëm për print.

Shpenzime të tjera janë planifikuar për workshope dhe trajnime, ndërsa mësohet se do të ketë dhe një kontroll të subjekteve që do përdorin menunë 100 fshatrat.

Pagesa për të gjithë këto procedura do të bëhet në 5 këste dhe vetëm pas dorëzimit të raporteve tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ekipi konsulent përbëhet nga një ekspert marketingu, shef kuzhine, dietolog, studiues i trashëgimisë kulturore, ekspert turizmi, producent, drejtor kreativ dhe ueb developer, të cilët duhet të kenë të paktën 10 vite eksperiencë pune.