Torovica pa ujë të pijshëm, fshati në Lezhë furnizohet me ujë vetëm dy orë në ditë
Mbi 1 mijë banorë të fshatit Torovicë në Lezhë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ujin për konsum e sigurojnë duke e blerë apo duke e mbushur me bidonë kilometra larg fshatit të tyre.
Uji që rrjedh në çezmat e fshatit Torovicë të Lezhës nuk është i pijshëm.
Banorët që jetojnë aty thonë se ai është i ndotur dhe nuk mund të përdoret për konsum.
Prej vitesh sigurimi i ujit të pijshëm për ta është kthyer në sfidë.
Detyrohen ta blejnë ose të shkojnë ta mbushin me kilometra larg.
"Kush ka mundësi e ble, kush s'ka mundësi i hipin makinave edhe shkojnë e mbushin."
"Uji vjen, por nuk është i pijshëm."
"As për ushqim, as për të pirë. Shkoj e marr në Lezhë."
Me këtë problematik përballen prej vitesh dhe po aq gjatë u është premtuar se do të ketë zgjidhje por asgjë nuk ka ndryshuar.
"Kemi marrë disa herë premtime nga e majta dhe e djathta asnjëherë nuk është zgjidhur kjo punë."
Me ujin që u vjen në shtëpi e që sipas tyre është i ndotur fshati Torovicë furnizohet vetëm dy orë në ditë.
Pavarësisht problematikës me të cilën përballen mbi 1 mijë banorë Bashkia Lezhë ende nuk e ka në planet e saj ndërtimin e ujësjellësit të ri që do u mundësonte familjeve jetesë normale.

