Sulmi kibernetik ndaj Ora News, eksperti: Mund ta bëjnë vetëm grupet kriminale të cilat paguhen me shuma të mëdha
Me nisjen e përplasjes mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe FSHF drejt faqes së Ora Neës ka filluar dhe një sulm kibernetik. Drejt faqes online janë drejtuar miliona kërkesa në një kohë të shkurtër me qëllim mbingarkesën e rrjetit. I njëjti fenomen është vërejtur dhe në faqet e tjera të cilat janë kritike me vendimet arbitrare të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Menjëherë pas publikimit të audiopërgjimit, mediet të cilat e dispononin pësuan një bum klikimesh për një moment shumë të shkurtër. Por çfarë do të thotë kjo?
Eksperti i IT-së, Renis Cerga në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava u shpreh se ajo që ndodh në realitet është një trafik artificial i cili krijohet në mënyrë që të bllokojë vizitorët.
Cerga: Futen miliona vizitorë të cilët nuk janë vizitorë në faqe dhe bllokojnë komplet Website-n duke e bërë të pamundur për vizitorët realë që të arrijnë ta aksesojnë atë. Kjo është përdorur në Shqipëri dhe më parë dhe është një nga sulmet më të zakonshme që përdoret në botë. Nuk kemi të bëjmë me një ndërhyrje, nuk është një ndërhyrje që të hakojë përmbajtjen e faqes, por thjesht bllokon aksesin e saj për vizitorët.
Si ndodh sulmi
Cerga: Ka një historik historia e këtyre sulmeve. Vitet e fundit kostot e këtij operacioni janë rritur jashtëzakonisht dhe këtë mund ta bëjnë vetëm grupe kriminale të cilat paguhen. Ti duhet të paguash te këto grupe kriminale dhe pasi paguan dhe paguhet për minuta dhe në varësi të llojit të Website-t, sa më e madhe është, sa më e mbrojtur, aq më i lartë është çmimi. Gjithmonë flitet për shuma të mëdha.
Gazetarja Morava u shpreh se në rastin konkret flitet për një sulm rreth 5 terabyte. Ndërsa eksperti tha se ky është një sulm shumë i madh dhe është paguar shumë.
Cerga: 5 terabyte, një sulm i këtij lloji është shumë i madh, duhet të kesh pajtuar grupe kriminale që kanë goxha potencial dhe çmimi është shumë i lartë.
Eksperti u shpreh se këto nuk janë sulme bllokuese, pasi në momentin që mbarojnë faqja zhbllokohet. Por problemi është nëse sulmi vazhdon dhe përsëritet, faqja online del jashtë loje pasi humbasin vizitorët legjitimë.
