Dita e kujtesës, "historia e hebrejve shqiptarë" në 75-vjetorin e hapjes së portave të Aushviçit

27 janari tashmë njihet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit. Një rol të rëndësishëm për të ndihmuar hebrejtë kanë luajtur edhe shqiptarët, të cilët kanë hapur dyert dhe i kanë strehuar në shtëpitë e tyre.

Kryetari i akademisë së shkencave Skënder Gjinushi u shpreh se Shqipëria ka hyrë në histori me këtë dashamirësi te treguar në kohë të vështira. 

"Këto janë vlerat e kësaj dite, këto janë vlerat ose mësimet e kësaj historie e cila është pjesë e programeve mësimore në shkollat në Izrael ku si shembull merret Shqipëria dhe kjo flet për një tipar të shqiptarëve të besës dhe të mikpritjes ndaj mikut," tha Gjinushi.

Por pavarësisht kësaj, fatet e hebrejve edhe në Shqipëri nuk ishin të njëjta. Siç shprehet edhe akademiku Shaban Sinani, në fakt kjo ditë përkujton një moment shumë të dhimbshëm të historisë së tyre.

"Çdo jetë hebre e shpëtuar në Shqipëri është një fat më vete dhe fati-fatit nuk i ngjan. Ka shumë raste kur hebrejtë kanë provuar burgun, kanë provuar dënimet dhe ne gjithnjë themi që shpëtuan. Po shpëtuan po rruga që kanë kaluar gjatë viteve të luftës ka qenë një rrugë shumë e vështirë," tha Sinani.

Në “Ditën e Kujtesës” në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, ne Tirane,  u shfaq dokumentari “The Jewish History of Albania”.