Gugallja dhe Zoto në kërkim, Caka: Rama dhe Veliaj e dinë ku janë, vazhdojnë i paguajnë

Kërkimet e policisë shqiptare për të prangosur brenda vendit Stela Gugallja dhe Klodian Zoto për të cilët ka edhe një vendim Gjykate  kanë rezultuar të dështuara. Kjo ka bëre që SPAK të kërkojë nga policia kërkimin ndërkombëtar të tyre me dyshimin se mund të jenë larguar jashtë vendit. Aktualisht i arrestuar për abuzimet me incineratoret është vetëm ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, me gazetarin Everest Dedaj anëtarja e kryesisë së LSI-së, Silva Caka u shpreh se LSI ka vënë në dispozicion të SPAK mjaftueshëm dokumente të cilat edhe një person i cili nuk ka minimumin e formimit juridik do ta kuptonte shumë qartë se çfarë realisht po ndodh me këtë aferë korruptive.

Caka: Prokurorët e SPAK supozohet të jenë njerëz me shumë eksperiencë sidomos në fushën e hetimit penal dhe detyrimisht që me një lupë të vogël, po t'i shihnin mirë ato dokumente do nxirrnin perla. Unë habitem se pse SPAK kërkon njërin apo tjetrin pronar kompanie jashtë shtetit ose nuk e gjen dot kur shumë mirë Edi Rama i ka gjetur se ku janë, dhe Erion Veliaj njëkohësisht përderisa vazhdojnë dhe i kryejnë pagesa edhe pse llogaritë e tyre janë nën sekuestro. Ata i kanë gjetur ndoshta dhe vazhdojnë kryejnë pagesat e tyre, kontratat vazhdojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta njerëz e dinë shumë mirë se ky janë këta dy pronarë kompanish, kompanitë e tyre vazhdojnë të paguhen për punime që nuk i kanë kryer dhe për kontrata që janë fiktive. Kështu që SPAK mund të shkojë edhe të pyesë ose mund të nisë edhe një hetim se për çfarë vazhdojnë e paguhen këta persona që janë shpallur në këkrim ndërkombëtar.

Zonja Caka shtoi se Shqipëria vazhdon të përkeqësohet në nivelin e korrupsionit. Niveli i korrupsionit, sipas saj, përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

Ka një akuzë se LSI është përqendruar më shumë për inat politik ndaj Lefter Kokës duke lënë mënjanë zyrtarët e tjerë të cilët janë përfshirë në këtë aferë. A ka kërkuar LSI zyrtarisht hetim nga SPAK se çfarë po ndodh me hetimet dhe a po hetohen edhe zyrtarë të tjerë?

Cako: Askush në LSI nuk kompleksohet nga fakti që duan ta trajtojnë si një hakmarrje personale. Ka një "zero feeling" dhe LSI nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë. Padia jonë nuk ka përfshirë vetëm një person i cili ka qenë ministër i LSI, madje ajo që më vjen keq është fakti që pse SPAK nuk heton dhe pjesën tjetër. Ne e kemi shumë të qartë që Lefter Koka nuk është i vetëm në këtë aferë. Ka pasur shumë të tjerë që e kanë shoqëruar me veprime mbase edhe më të rënda duke filluar nga kryeministri, sekretari i përgjithshëm Engjëll Agaçi, kryebashkiaku Veliaj, Alqi Bllako, kryebashkiaku i Fierit. Ne kemi bërë kërkesa publike kundrejt SPAK për të hetuar. Është e çuditshme pse nuk po vepron SPAK. Ose është ajo që tha kryebashkiaku i Tiranës që SPAK-un e kemi mashë dhe e përdorim për kë duam ne.

Pas më shumë se një muaj kërkimesh brenda territorit shqiptar Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Policia e Shtetit të shpallë kërkimin ndërkombëtar për dy të kërkuarit e skandalit korruptiv të incineratorin e Elbasanit, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Zyrtarisht për ta do të nisë kërkimi edhe jashtë territorit shqiptar, ndonëse në sistemin TIMS rezultojne të mos e kenë kaluar kufirin. Aktualisht i arrestuar për abuzimet me incineratorin e Elbasanit është vetëm ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa  Gugallja dhe Zoto arritën t’i shpëtonin prangosjes pasi nuk u gjetën në banesë pasi gjykata pranoi kërkesën për arrestimin e tyre. 

Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku