Tushen ua arrestuan, Balla: Vazhdojmë qeverisjen në Lushnje, brenda javës kryetari i ardhshëm i Bashkisë
Partia Socialiste do të ketë brenda javës emrin e kandidatit për bashkinë e Lushnjes, vend i cili mbeti vakant pas arrestimit të kryebashkiakut socialist Fatos Tushe për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.
Nga Fieri, i dërguari politik i PS-së për këtë qark, njëherësh dhe kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, u shpreh i bindur se socialistët do të vazhdojnë qeverisjen vendore në këtë bashki.
Balla: Ne do të vazhdojmë qeverisjen vendore të Lushnjes jo për këtë vit deri në 2023 por edhe në mandatin e ardhshëm të qeverisjes vendore sepse kemi plot projekte të rëndësishme që jemi në proces për ti çuar përpara. Jemi angazhuar për të vazhduar transformimin e Lushnjes në disa projekte të mëdha të infrastrukturës. Do marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të pastruar problemet e vjetra dhe natyrshëm për të zhvilluar një Lushnje në të gjitha dimensionet e veta, qoftë në infrastrukturë por dhe bujqësi. Qarku i Fierit është bërthama e zhvillimit bujqësor në Shqipëri, 47% e prodhimeve bujqësore në gjithë Shqipërinë vijnë nga ky hambar bujqësor. Brenda kësaj jave do të keni dhe emrin e kryetarit të ardhshëm të Bashkisë Lushnje.
