"Politiqenë edhe ata janë bijë e bija të këtij vendi" Thirrja e mjekut për të ndihmuar të pastrehët në ditët e acarta të dimrit

Mjeku i njohur shqiptar, Tritan Kalo, u ka bërë thirrje pushtetarëve të marrin masat e duhura në këto ditë të acarta dimri, për të strehuar dhe ndihmuar të pastrehët, që jetojnë nëpër cepa rrugicash.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, mjeku infeksionist, i indinjuar për realitetin e hidhur shqiptar, kërkon nga autoritet përkatëse por edhe nga qytetarët që  t'i kushtojnë vëmendje personave në nevojë.

Krahas shkrimit, Kalo ka publikuar një foto ku duket një familje që fle jashtë mes temperaturave të acarta që po kalon vendi.

Ai tregon gjithashtu me detaje adresën se ku ndodhet familja, për këdo që do t'i ofrojë ndihmë.

Familja ndodhet në shkallët pranë Bibliotekës “Musine Kokalari”, pallati 18. Shk 1, në Bulevardin “Zhan D’Ark".

"KURRË mos harroni se edhe ata, e jo vetëm, janë bijë e bija të këtij vendi. Janë vëllezërit e motrat tona/ Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit?!?!", shkruan Kalo në Facebook.

Postimi i plotë:

"Kohë kovidiane….25.01.2022…Mbrëmë dhe sot 24 orëshi më i ftohtë i këtij dimri…Ndërkohë që “lukunia pusht-shtetbërëse” çirret për DREJTËSI e VIJOJNË shqyerjen e “tortës buxhetore”, qytetarë të saj e kalojnë acarin e natës në kushtet e mëposhtëme….MENDONI e VEPRONI edhe për ta….Vëndi ku janë “strehuar” është ngjitur me shkallën ku ka lindur KM ynë, pranë Bibliotekës “Musine Kokalari”, Pallati 18. Shk 1, në Bulevardin “Zhan D’Ark”….31 vite “qenëzënie” për prona, para e pasuri të pa trashguara dhe të pa merituara, nga JU të gjithë “politiqenët”  tanë të të gjitha ngjyrave partiake, që për Atdhe e Komb keni vetëm çifliqet tuaja….KURRË mos haroni se edhe ata, e jo vetëm, janë bijë e bija të këtij vëndi….Janë vëllezërit e motrat tona….Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit?!?!