"Ju bëftë mirë kafja, unë kam zgjedhur detin", 49-vjeçari vlonjat lahet në det në temperatura disa gradë minus
Temperaturat që zbritën deri në -4 Gradë nuk e penguan 49-vjeçarin nga Vlora, Arben Abazaj të kryejë ritualin e larjes në det as në ditën më të ftohtë të vitit.
Thotë se uji këtë të martë ishte vërtetë i ftohtë, por kjo nuk të ndalte sfidën që ai i bën vetes prej 3 dekadash.
"Deti ishte vërtet i ftohtë. Është adrenalinë dhe i bën jashtëzakonisht mirë trupit nëse do të dish të futesh dhe të dalësh, të dish kohën që përballon organizimi yt në të. Kam mbi 30 vite që lahem në dimër, e kam sfidë ndaj vetes".
I apasionuar pas detit, 49-vjeçari tregon disa nga aventurat dhe rreziqet që ka kaluar.
"Kam shkuar me not në Karaburun dhe Sazan. Jam larë shpesh dhe natën. Gjëja më e bukur më ka ndodhur kur jam ndeshur me delfinë. Ishin të shumë të mëdhenj dhe afër meje, i preka pak".
Për të rinjtë që rrinë në kafe dhe nuk merren me sport ka këtë mesazh.
"Ju bëfte mirë kafja unë kam zgjedhur detin dhe deri tani ja kam parë hajrin dhe nga ana e shëndetit, nuk e njoh spitalin. Të bëjnë çfarë ju pëlqen por po të më dëgjojnë mua duhet të zgjedhin detin".
Personazhe si Arben Abazaj që nuk i ndahen detit thuajse asnjë ditë të vitit janë të paktë.
Ndërsa këto ditë të ftohta në rrjetet sociale nuk kanë munguar videot ku kryesisht të rinjtë kanë sfiduar temperaturat duke u lartë në liqene apo lumej.

