Raporti për korrupsionin, Meta: Gjendja shumë e rëndë, kërkon reflektim të menjëhershëm

Edhe presidenti, Ilir Meta, ka komentuar raportin e fundit të Organizatës Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në të cilin Shqipëria kishte regres në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

"Mjaft korrupsionit!Mjaft pandëshkueshmërisë! Ndërsa shtetet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë shënuar progres të ndjeshëm në lufën kundër korrupsionit, vendi ynë ka vazhduar përkeqësimin. Në raportin e përvitshëm të Organizatës prestigjoze Transparency International, për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë".

Sipas Metës këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve, por edhe me paralajmërimet që kam bërë prej kohësh sa i përket nivelit të ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin, mungesën e llogaridhënies në të gjitha nivelet, abuzimet me fondet publike nëpërmjet koncensioneve, PPP-ve dhe inceneratorëve, situatë e rëndë që vijon të vrasë shpresën dhe të detyrojë gjithmonë e më shumë shqiptarë të largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre.

Presidenti nënvizon se gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm.