Mjeshtrit e qiellit/ Rrëfime jete nga 2 pilotët e mëdhenj nga Korça
Koço Biku dhe Astrit Jaupi janë 2 ish-pilotë ushtarakë nga Korça që kanë dhënë kontributin e tyre në historinë e aviacionit në Shqipëri ndër vite.
Në një intervistë për emisionin "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora, 2 mjeshtrit e qiellit rrëfejnë eksperiencat e karrierës në pilotim dhe tregojnë ndjesitë dhe emocionet e fluturimit tyre të parë.
Koço Biku pohon se ka qenë ndër të parët pilot që është licencuar në Shqipëri.
Koço Biku: Historikisht njeriu ka dashur gjithmonë të kapë qiellin, ka anekdota histori për fluturime. Unë kam filluar studimet në Shqipëri, kam vazhduar në Rusi dhe përfundova në Shqipëri. Jam ndër të parët që jam licencuar në Shqipëri. Në atë kohë kur shikoje një avion, në vitet 60' uleshin 4, 5 avionë në javë, sot në ditë ulen 50, 60 avionë në ditë. E lamë shkollën e u turrëm për avionë.
Udhëtimi i parë
"Pilotimi i parë është lidhur me hedhjen me parashutë. Asnjë pilot luftarak nuk fillon fluturimet pa nisur me hedhjen me parashutë. Hedhja me parashutë është masë parrezikshmërie. Isha 17 vjeç atëherë. Hedhja e parë është bërë në Kuçovë. Ata që janë hedhur për herë të arë asgjë nuk ka ndodhur, hera e dytë e tretë e kujton veten mjeshtër dhe nuk respekton rregullat."
Ndërkohë Astrit Jaupi, thotë se profesioni i pilotit hyri rastësisht në jetën tij, kur u përzgjodh midis të rinjve të tjerë nga shkolla e oficerëve.
Ndër të tjera ai shpjegon mënyrën se si përzgjidheshin pilotët në vitet '60.
Astrit Jaupi: Profesioni erdhi rastësisht. Unë shkova për oficer, aty u bë përzgjedhja për pilotë. E para të kontrollonin nga shëndeti. Bëheshin komplet analiza mjekësore dhe bëhej përzgjedhja. Aty u bë ndarja e parë, ishte në bazë të shëndetit.
Hedhja e parë
"Jemi hedhur më parashutë në lartësinë 800 mera për herë të parë. Ishim 13 veta në avion dhe hidheshim me radhë. Hidhej i pari, shtyhej i dyti. Absolutisht nuk thoshim dot jo. Kishte momente frikë, 2 shokët e mi nuk u hodhën nga frika, bën si të sëmurë që mos hidhe, hëngrën sapun që t'i ngrihej temperatura. Mjekët e kuptuan çfarë kishin bërë dhe i skualifikuan.Kur u hodha me parashutë ishte vërtetë një mrekulli në ajër të pastër thosha ku isha dhe ku jam, çfarë është kjo bukuri."
