Protestuan në Morinë kundër vendimit të Kurtit, dy kuksianë kanë punë me policinë

Dy  banorë të Kukësit janë proceduar penalisht në gjëndje të lirë për orgazimin e protestës së  24 janarit 2022 në pikën kufitare të Morinës.

Protesta ishte kundër vendimit të qeverisë së Albin Kurtit që qytetarët që hyjnë në Kosovë të jenë të vaksinuar me 3 dozat e vaksinës ose 2 doza dhe testi PCR. Duke i quajtur barriera këto masa, qytetarët thanë se po pengohet lëvizja e lirë tek familjarët e tyre në Kosovë.

Policia e Kukësit procedoi penalisht në gjendje të lirë për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme"  dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", “shtetasit R. M., 64 vjeç dhe M. F., 37 vjeç, banues në Kukës, pasi në PKK Morinë, kanë organizuar protestë pa lejen e organeve kompetente, duke bllokuar lëvizjen e lirë të qarkullimit të mjeteve” informoi policia e Kukësit.

"I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të heqë vaksinën e tretë dhe tamponin 30 euro, nuk kemi mundësi të paguajmë. Ne shkojmë për ndonjë pazar, për një thes misër që bëhn 10 euro duhet me pagu 30 euro PCR deklaruan ata.