“Zoti ka harruar të më marrë!” Mes varfërisë e të ftohtit, nënë Hyrija jeton me 2600 lekë në muaj  

Jetesa e Hyrije Memetit  nuk ka qenë asnjëherë e lehtë ndërsa 3 vitete e fundit është bërë akoma më e vështirë që pas vdekjes së bashkëshortit të saj

70-vjeçarja jeton në një dhomë me dërrasa, në lagjen Kombinat, të Tiranës, ku dhe ajo rrezikon të shëmbet.

“Zoti ka harruar të na marrë o non. Unë nuk flej gjithë natën, kërcet tavani. Rri gjithën natën zgjuar se kam frikë se do më zërë brenda” thotë nëna.

Në këto ditë ku temperaturat shënojnë minus disa gradë 70 vjeçarja thotë se nuk ka me se ngrohet dhe përpiqet të gjej mundësi për të ndezur sobën që pothuajse nuk ndizet fare.

Ajo tregon se nuk ka asnjë mundësi dhe ndihma ekonomike që merr nga bashkia nuk i mjafton as për të  paguar energjinë elektrike.

“Nuk kam as pension asgjë. Marr 2600 lekë nga bashkia me ato paguaj dritat”

Thotë se kurrë nuk i ka ngrënë 3 vaktet .

“Nuk ka tre vakte asnjëherë. Një vakt ha. Ngjyj bukën në lëngun e kockave të gjurit që më ka dhënë kasapi dhe ha”

Thirrja shkon për bashkinë që ta ndihmojë pasi e vetme dhe në këtë moshë nuk mund tia dalë mbanë për të siguruar minimumin jetik.