Tatimorët në bizneset e Dukës, Dhoma e Tregtisë: Biznesi ndihet i rrezikuar, stop kontrolleve të orkestruara
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës ka reaguar lidhur me kontrollin e hetimit tatimor në bizneset e familjes Duka.
Në një deklaratë për mediat, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se kontrolli i beftë dhe komanduar i 15 tatimorëve në kompaninë e vëllezërve Duka ndikon drejtëpërdrejtë në klimën e të bërit biznes dhe ushtrimin e sipërmarrjes së lirë.
Sot biznesi në Durrës por edhe më gjerë ndihet i kërcënuar nga presioni që mund të ushtrojë shteti dhe institucionet e tij ndaj subjekteve private.
Reagime të tilla të instancave shtetërore i përngjajnë një presioni publik politik që kërcënon biznesin e ndershëm për të ushtruar veprimtarinë e tij.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i bën apel Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të heqë dorë nga kontrollet e orkestruara dhe të zbatojë ligjin dispozitat ligjore me përpikmëri, e pandikuar nga askush.
Nga ana tjetër Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës dënon ngjarjen e rëndë të shpërthimit me eksploziv në shtëpinë e Armando Dukës, duke kërkuar ndëshkimin sa më parë të autorëve të ngjarjes.
