Partizani ndalet nga Kastrioti, Laçi e bën Teutën me 4 humbje radhazi

Java e 17 e Superiores dhuroi surpriza me dy ndeshjet e luajtura këtë mesditë. Partizani që dukej se e mori veten me trajnerin e ri, ndalet në një barazim zhgënjyes përballë Kastriotit.

Krutanët e kanë marrë veten dhe po bëjnë paraqitje të mira si ajo sot në “Elbasan Arena” ndaj Partizanit me sfidën që u mbyll në barazim pa gola.

Pjesa e pare ishte më tepër e ekuilibruar edhe pse të kuqtë morëm më shumë iniciativën ndërsa në fraksionin e dytë, niveli u rrit.

Skuadra e Mehmetit rrit presionin dhe krijon disa raste të pastra me Stenio Junior i cili shpërdoron shumë.

Me gjithë lojën e krijuar Partizani nuk arran të marrë më shumë se një barazim pa gola që e lë në vendin e pestë me 21 pikë.

Ndërkohë në “Egnatia Arena” pati spektakël dhe një ndeshje shumë të bukur të mbushur me emocione dhe gola.

Teuta pësoi humbjen e katërt radhazi duke konfirmuar krizën e madhe që po kalon edhe pse u kujtua vonë për të reaguar e për të marrë pike.

Edhe pse kaloi e para në avantazh me Aleksin në 22’, kampionët në fuqi u përmbysën shpejt nga Laçi që shënoi 3 herë me Deliu në 45’ dhe dygolëshin e Guindo në 66’ dhe 73’ me penallti.

Në 81’, Hebaj rihap ndeshjen por skuadra e Josës mbrohet mirë dhe ruan avantazhin që i jep 3 pikë shumë të vlefshme që e çojnë në kuotën 31 pikëve, 3 më pak se Tirana./Ora News/.