Diçka nuk funksionon, Vllaznia nuk di të shënojë. 1-1 me Egnatian
Katër barazime, lojë e bukur, dominim por 4 pikë nga 12 të mundshme. Te Vllaznia diçka nuk shkon, nuk funksionon dhe është mëkat të prodhosh e të dominosh ndeshjen me lojë e të mos fitosh.
Ashtu siç ndodhi me Tiranën, Vllaznia tregoi superioritet absolut ndaj Egnatias në “Loro Boriçi” dhe në fund largohet vetëm me një barazim 1-1, që nuk mjafton aspak për të bërë realitet ëndrrën titull.
Skuadra e Brdariç vijon të luajë bukur dhe në çdo ndeshje mund të analizosh rastet e krijuara por problemi i madh është shënimi, madje sot ndaj rrogozhinasve edhe mund ta humbisnin ndeshjen.
Ademi në 41’ kap mat shkodranët me një kundërsulm duke shënuar dhe duke “ngrirë” vendasit teksa Vllaznia e nis nga e para dhe mes rasteve të panumërta të humbura shpëton me një gol nga Krymi me kokë në 71’.
Në fund një barazim, i katërti radhazi për Vllazninë, një problem që po kthehet në handicap të madh për një klub dhe ekip që synon titullin./Ora News/.
