Sponsorët mund ta “falimentojnë” Djokoviç. Serbi kërkon dëmshpërblim nga Australian Open

Çështja Djokoviç nuk ka marrë fund ende. Duket se ka nisur një tjetër etapë e kësaj çështjeje pasi numri 1 i botës në tenis, ka nisur punën për të kërkuar një dëmshpërblim të majmë nga Australian Open dhe shteti Australian.

 

Avokatët e tenistit serb do të ngrenë disa padi për të marrë një dëmshpërblim prej 5 mln dollarë kundrejt organizatorëve të Grand Slam por në anën tjetër mund të ndodhë diçka e paimagjinueshme për të.

Sponsorët e tenistit numër 1 në botë po mendojnë të rishikojnë kontratat e tyre me një prej sportistëve më të paguar në botë për këtë sport.

Sponsori i parë që ka lëvizur është Lacoste që po kërkon rishikimin e kontratës milionere që e lidh me Djokoviç.

Arsyeja është e qartë, mungesa e shikueshmërisë si pasojë e mospjesëmarrjes së Djokoviç në Grand Slamin e parë por ndërkohe edhe në Roland Garros mund të mungojë sërish ndaj dhe Lacoste kërkon paratë mbrapsht!.

Një tjetër klauzolë ku mund të kapen sponsorët është edhe e ashtuquejtura “klauzola e moralit” ose më shqip, klauzola që mbrojnë kompanitë dhe sponsorët nga sjellja publike e klientëve të tyre.

 

Lacoste ka lëvizur  para ndërsa ende nuk ka një reagim për momentin nga sponsorët e tjerë si RBI – Raiffeisen Bank International, Hublot, Asics, Head, Lemero, NetJets, Peugeot e Ultimate Software Group. Nëse do ta bënin edhe të tjerët, atëherë seriozisht Novak Djokoviç do t’i kishte punët pisk!/Ora News/.