Telashet nuk mbarojnë, Abramovich nën hetim për pasaportën e BE-së

Për një si Roman Abramovich ka gjithmonë probleme në horizont. Të qenit më i pasuri në Portugali dhe ndër më të pasurit në BE, është kthyer në një makth pasi manjati rus do të hetohet nga autoritetet e këtij vendi për mënyrën sesi ai arriti të merrte një pasaportë të këtij shteti.

 

Siç kemi shkruar edhe më parë, pa shumë zhurmë Abramovich ka përfituar nga një ligj special në Portugali që ekziston nga 2015-ta, që ky vend i ofron pasaportë dhe shtetësi pasardhësve të hebrenjve të dëbuar nga gadishulli iberik gjatë inkuizicionit.

 

"Abramovich ka përfituar pasi ka treguar se është pasardhës i hebrenjve sephardic portugez përmes një certifikate të lëshuar nga komuniteti hebre portugez”, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme portugeze ditë më parë.

Por sot, është konfirmuar se drejtësia portugeze ka nisur një hetim për të kuptuar nëse ka patur favorizim në këto proçedura duke qenë se për të u lëshua një certifikatë që vërteton prejardhjen e tij nga Komuniteti Izraelit i Portos.

 

Hetimet në vazhdim "na duken pozitive për t'i dhënë fund teorive të pabaza," reagoi rabini Daniel Litvak në një deklaratë, në një aludim ndaj raportimeve të shtypit që shkruanin se Abramovich mund të ketë përfituar nga një trajtim i veçantë dhe se nuk rezulton të ketë lidhje me komunitetin hebre./Ora News/.