Në “shtëpinë” e Keidi Bares. Ja ku do të luhet miqësorja Spanjë-Shqipëri
Shqipëria do të luajë në Mars një miqësore luksi përballë Spanjës së Luis Enriques. “La Roja” e ndryshuar tërësisht do të presë kuqezinjtë më 26 Mars dhe sot Federata Shqiptare ka bërë të ditur edhe vendin dhe orarin e këtij takimi.
Sipas marrëveshjes mes dy federatave ky takim do të luhet në stadiumin “RCDE”, që është shtëpia e skuadrës së Espanjolit në Barcelonë, duke filluar nga ora 19:00.
Ky stadium ose siç njihet ndryshe “Cornella” është shtëpia e Keidi Bares, aty ku Espanyoli i tij luan ndeshjet pritëse dhe për mesfushorin shqiptar do të jetë një ndeshje si në shtëpinë e tij në Katalunjë.
Kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve, të cilat deri më tani kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës shtatë sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore.
Pas Spanjës, më datë 29 mars 2022 Shqipëria do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj Gjeorgjisë në Shqipëri sipas marrëveshjes së arritur mes dy federatave, ndërkohë që mbeten ende për t’u përcaktuar stadiumi që do të presë sfidën dhe orën kur do të luhet./Ora News/.
