Mbulonte çështjet e krimit, ekzekutohet me tre plumba gazetari teksa po shkonte në punë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Meksikë.
Një gazetar i Tijuanas, i cili mbulonte çështjet e krimit dhe sigurisë në qytetin kufitar, u qëllua për vdekje të hënën jashtë shtëpisë së tij teksa po shkonte në punë.
Margarito Martínez Esquivel, i cili ka punuar si gazetar edhe BBC, San Diego Union-Tribune dhe Los Angeles Times, u qëllua tre herë. Lajmin e trishtë e ka dhënë partnerja e tij Elena.
“Fatkeqësisht, nuk mund të bëja asgjë për të,” tha Elena Martínez, duke qarë jashtë shtëpisë së familjes në lagjen Camino Verde të Tijuana.
Mësohet se ka qenë vajza 16-vjeçare e Martínez e cila dëgjoi të shtënat dhe gjeti trupin e babait të saj pranë makinës së tij.
Hetuesit e skenës së krimit mblodhën prova ndërsa Garda Kombëtare është vendosur jashtë zonës për të ruajtur sigurinë rreth shtëpisë së familjes.

