Kazakistan: Përfundon tërheqja e forcave ruse

Forcat ruse përfunduan sot tërheqjen e tyre nga Kazakistani, ku ishin dërguar për të mbështetur qeverinë, për ta ndihmuar të përballej me trazirat e paprecedenta, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

“Operacioni paqeruajtës  në territorin e Republikës së Kazakistanit ka përfunduar”, tha Andrei Serdyukov, kreu i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, i udhëhequr nga Moska.

Protestat e Kazakistanit nisën fillimisht nga rritja e çmimeve të karburantit, por u zgjeruar më tej duke përfshirë edhe ankesa të tjera politike.

Presidenti Tokayev ka pohuar se trazirat ishin  vepër e "bandave terroriste" të inskenuara  nga të huajt.

Në përpjekje për të zbutur zemërimin e publikut, Presidenti Tokayev shkarkoi ish-presidentin Nazarbajev nga posti i kreut të Këshillit të fuqishëm të Sigurimit dhe e mori vetë këtë post.

Ai emëroi gjithashtu një udhëheqës të ri të Komitetit të Sigurimit të Shtetit, pasardhës i KGB-së së epokës sovjetike, dhe hoqi nipin e zotit Nazarbajev nga posti numër dy i komitetit. Kabineti i Presidentit Tokayev gjithashtu dha dorëheqjen.