Talibanët kërkojnë njohje nga myslimanë, kryeministri afgan: Na njihni për të shmangur barrierat ekonomike
Kryeministri i talibanëve, Mohammad Hassan Akhund u ka bërë thirrje shteteve myslimane që të njohin zyrtarisht Afganistanin.
Sipas kreut të talibanëve njohja e Afganistanit nga shtetet myslimane do të lehtësonte barrierat ekonomike të vendit.
"Unë kërkoj nga të gjitha vendet islamike që të mos presin që dikush tjetër ta njohë zyrtarisht Afganistanin. Atëherë e gjithë bota do ta pranojë se Afganistani është një vend i madh, një vend i lirë. I bëj thirrje të gjithëve që të ndërmarrin një hap të guximshëm, për të kapërcyer këtë pengesë të madhe që është një barrierë në ekonominë e Afganistanit."
Asnjë vend nuk i ka njohur ende talibanët, ku shumica po vëzhgojnë qëndrimet e vendeve islamike të linjës radikale.
Afganistani është në gjendje fatkeqësie humanitare, e cila u përkeqësua pas ardhjes së talibanëve në pushtet në muajin gusht të vitit të kaluar.
Përpara ardhje së talibanëve, vendi ishte tërësisht i varur nga ndihmat e huaja të mbështetura nga SHBA-të, aktualisht vendet e punës janë shkurtuar dhe shumica e nëpunësve kanë muaj të tërë pa marrë pagën mujore.
Vendet perëndimore ngrinë ndihmat ndërkombëtare dhe llogaritë e Afganistanit me vlerë miliarda dollarë të mbajtura jashtë vendit.
Të mërkurën, Organizata Ndërkombëtare e Punës tha se 500 mijë afganë humbën punën e tyre në tremujorin e tretë të 2021 dhe kjo pritet të rritet në 900,000 nga mesi i këtij viti.

