Blinken kërkon paqe nga Putin: Rusia ka në plan të shtojë presionin ndaj Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje nga Kievi presidentit të Rusisë, Vladimir Putin që të zgjidhin situatën e tensionuar në Ukrainë në rrugë diplomatike dhe paqësore.
Blinken: Ne e dimë se Rusia ka plane që të shtojë edhe më shumë presionin ndaj Ukrainës dhe kjo i jep presidentit Putin kapacitetin që ta bëjë atë në një kohë shumë të shkurtër. Unë shpresoj fuqimisht që ne mund ta mbajmë situatën në rrugë diplomatike dhe paqësore, por në fund të fundit, ky do të jetë vendimi i Putin.
Kryediplomati amerikan mbërriti në Ukrainë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës si një mbështetje ndaj Kievit ndaj kërcënimit rus.
Të martën, Rusia dërgoi mijëra trupa në Bjellorusi në kufirin verior të Ukrainës, çka shtoi rrezikun e një pushtimi të mirë organizuar nga Kremlini, duke rrethuar të gjithë vendin.
Të enjten, Blinken udhëton drejt Berlinit për të zhvilluar takime katërpalëshe me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, ndërsa të premten do të takohet me homologun e tij rus, Sergej Lavrov.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë arritur një nivel të lartë që pas Luftës së Ftohtë, duke rritur frikën për një konflikt të madh real në Evropën Lindore edhe pse Moska përjashton kategorikisht ndonjë pushtim ndaj Ukrainës.
