Sërish rekord rastesh në Gjermani, mbi 100 mijë infektime me Covid
Gjermania ka regjistruar mbi 100,000 raste të reja me koronavirus, për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë.
Të dhënat nga Instituti Robert Koch të mërkurën, kanë treguar se 112,323 raste të reja janë regjistruar në harkun e 24 orëve.
Mesatarja e shtatë ditëve të fundit tregon se 584 persona për 100 mijë banorë kanë rezultuar pozitivë për Covis-19.
Në gjithë Gjermaninë, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë edhe 239 pacientë të infektuar nga Covid-19.
Sipas autoriteteve shëndetësore gjermane, që prej fillimit të pandemisë janë infektuar më shumë se 8 milionë persona, shifër kjo që është e barabartë me 10%-shin e popullsisë.
Edhe pse shifra e infektimeve besohet të jetë shumë herë më e lartë për shkak të rasteve të paraportuara, sipas statistikave zyrtare mbi 115 000 persona kanë ndërruar jetë që nga 13 marsi, datë kjo kur në vend u identifikua rasti i parë me Covid-19.
Problematike janë edhe shtrimet në spitale, pasi sipas të dhënave 3 persona për 100 mijë banorë hospitalizohen me simptoma të rënda të virusit.

