Betejë 19 vite, banjoja e fqinjëve u bënte zhurmë në dhomë, çifti fiton gjyqin, marrin 9500 €
Gjykata e lartë e Italisë ka mbrojtur të drejtën e një çifti për mbrojtjen nga zhurma e lartë e banjos pas një beteje 19-vjeçare me fqinjët e tyre.
Rasti filloi në vitin 2003 kur çifti, që jetonte në një apartament pranë La Spezia-s, u ankua se një banjë e re e instaluar nga fqinjët e tyre ishte aq e zhurmshme saqë i ndalonte ata të flinin gjumë.
Krevati i tyre ishte pikërisht përballë murit lidhës me një apartament ku ishte instaluar banjoja.
Çifti tha se dhoma e tyre e gjumit ishte shumë e vogël për të lejuar riorganizimin e mobileve dhe e çuan çështjen në gjykatë në qytetin e La Spezia, duke thënë se zhurma e shkarkuesit ishte e patolerueshme.
Ankesa e tyre u refuzua nga një gjyqtar.
Duke mos u tërhequr, ata më pas e referuan çështjen në një gjykatë Apeli në Xhenova, e cila urdhëroi një inspektim të dy apartamenteve dhe zbuloi se banjoja ishte aq e zhurmshme sa ndikonte te cilësia e jetës së çiftit.
Të pakënaqur me këtë vendim, katër vëllezërit që zotëronin apartamentin me banjon në fjalë kundërshtuan vendimin e gjykatës, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë në Romë.
Por gjykatësit atje vendosën në favor të çiftit, duke thënë se zhurma nga tualeti cenoi të drejtën e tyre për një gjumë të mirë.
Gjykata urdhëroi vëllezërit që t'u paguanin fqinjëve të tyre kompensim 500 € për çdo vit që nga fillimi i ankesës në 2003, duke e çuar shumë në 9,500 €.
