“Po organizohen takime fshehurazi”, LDG në Durrës: Askush s’ka dhënë dorëheqjen, Basha po ngre grupe ilegjitime

Kryetaret e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë (LDGSH), dega Durrës, në një deklaratë për mediat kanë bërë me dije se askush nga drejtueset e kësaj strukture nuk ka dhënë dorëheqjen pasi nuk u ka mbaruar afati.

Ndër të tjera, në deklaratën e bërë me shkrim, ato shprehen se po bëhen takime të fshtehta dhe se kryedemokrati Basha po ngrinte grupe ilegjitime me qëllim për të zëvendësuar strukturat funksionale aktuale.

Në deklaratë thuhet se LDK e ka përfunduar procesin e riorganizimit, ku në Durrës gjatë procesit të fundit zgjedhor:

- janë anëtarësuar mbi 500 zonja;

- janë zhvilluar zgjedhjet në 34 grupseksione me parimin një anëtare-një-votë;

- janë kryer kuvendet e degëve ku janë zgjedhur 4 zonja kryetare:

 KZAZ 21, Aishe Gashi

 KZAZ 22, Dorilda Mara

 KZAZ 23, Ledia Shtufi

KZAZ 24 Besa Cani

Sipas deklaratës riorganizimi është mbështetur edhe nga ish Kryetari I PD Dega Durrës dhe deputet I PD z. Ferdinand Xhaferraj si dhe kryetari I komanduar I PD Dega Durrës z. Luan Hoti.

“Jemi vënë në dijeni në mënyrë indirekte që sot po organizohet në fshehtësi të plotë një takim me gra pranë PD Dega Durrës me qëllim riorganizimin e LDG për këtë Degë. Asnjëra prej katër drejtueseve aktuale të LDG Dega Durrës nuk është njoftuar, asnjë anëtare e strukturave tona nuk është njoftuar. Mbledhjet e LDGSH, siç deri më sot duhet të jenë të hapura e transparente.

Asnjë proces paralel, antistatuor, antidemokratik nuk mund të çbëjë dot as strukturën e as kontributët e qindra zonjave demokrate anëtare të LDG Durrës.

Cdo proces jashtë atij të zhvilluar do të konsiderohet NUL.

Sigurojmë cdo anëtare të LDG Dega Durrës, që do të vijojmë të vendosura në detyrën që ato na e kanë besuar në drejtim të degëve të LDG Durrës duke përfaqësuar më së miri interesat e tyre.”- thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Dy ditë më parë, kreu i PD, Lulzim Basha organizoi një takim me degën e Lidhjes Demokratike të Gruas në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit me bazën dhe “zbritjen” në terren pas përplasjeve të zhvilluara.