Pas përfundimit të takimit me gratë Lulzim Basha largohet nga dera tjetër, i shmanget gazetarëve
Protestat ndaj Lulzim Bashës janë zhvendosur tani prej selisë së PD në takimet që ai zhvillon në bazë.
Anëtarë të PD ishin mbledhur këtë të martë, 18 janar jashtë një lokali në kryeqytet në pritje të takimit që Basha kishte me gratë.
Të rinjtë e pritën me vezë të hedhura në drejtim të makinës, ndërsa gratë me kërkesën për ta larguar nga PD.
Brenda lokalit Basha vlerësoi rolin e grave ndërsa theksoi se keq qeverisja po bën që të rinjtë të largohen.
"Kemi ardhur këtu për shkak të një qeverie e cila pushtetin e merr dhe e mban me një grusht njerëzish, e ndan me një grusht njerëzit dhe punon me një grusht njerëzish. Pasojat i vuajnë të gjithë, në veçanti zonjat dhe gratë. Jemi një vend që siç e tregon skandali i konçesioneve dhe i incineratorëve paska qindra milion euro për t'i dhënë 3-4 vetave. Por nëse këto qindra milionë euro përdoren për një skemë të re, le të themi të pensionimit të parakohshëm të arsimtarëve me qëllim që të hapin rrugën për punësimin e rinisë, apo të tjera masa për të forcuar shëndetësinë," tha Basha.
Pavarësisht se në hyrje Basha u bëri thirrje protestuesve t'i bashkoheshin, por për të dalë zgjodhi një tjetër derë, por sërish duke iu shmangur përgjigjes së gazetarëve.
