Arratisje me çarçafë, tentojnë t'ia "mbathin" nga burgu "313" Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri

Një tentativë arratisjeje është regjistruar këtë të dielë, 8 gush në burgun 313. Mësohet se lirinë në mënyrë të jashtëligjshme kanë kërkuar Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të dy persona të njohur për drejtësinë. Këta të fundit kanë shfrytëzuar orarin e ajrimit për të organizuar këtë tentativë duke përdorur çarçafë si litarë të improvizuar.

Burimet njoftojnë se qëllimi i tyre ka qenë mbërritja në pjesën e cila përdoret si hyrje nga ana e punonjësve të administratës së burgut. Gjithsesi ata janë kapur në flagrancë nga autoritetet e vuajtje së dënimit dhe ndaj tyre do të konsiderohet masa të mëtejshme ndëshkimore.

Individët janë marrë në pyetje për të mësuar më shumë për veprimet e tyre. Personat në fjalë kanë bërë bujë edhe në media për veprat për të cilat akuzohen.

Arbër Çekaj  është i dënuar për tentativën e trafikimit të 613 kg kokainë, sasi e sekuestruar në portin e Durrësit mbyllur në një kontejner bananesh. Për këtë vepër Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi atë me 14 vite burgim, një çështje kjo që vijon në shkallët më të larta të gjyqësorit.

Gjithashtu edhe babai i tij është nën masën e arrestit i akuzuar për një tjetër tentativë të trafikimit të kokainës me peshë totale 49 kg. Ky i fundit do të qëndrojë në burg deri në përfundim të gjykimit.

Nga ana tjetër Fatmir Pjetri është i njohur si eksponent i të ashtuquajturës banda e "Babagjyshëve" e cila tërhoqi vëmendjen e medies. Ai është i akuzuar për një seri grabitjesh në Shqipëri dhe në Greqi.