Mediat greke i bëjnë jehonë lajmit të përjashtimit të Sali Berishës nga PD
Media greke i ka bërë jehonë lajmit të një dite më parë të përjashtimit nga PD të ish-kryeministrit Berisha.
Faqja online zougla.gr shkruan se Partia Demokratike e Shqipërisë njoftoi të martën se kishte përjashtuar bashkëthemeluesin e saj, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, pas një konflikti të ashpër të brendshëm partiak.
Mediat shqiptare raportuan për këtë zhvillim. Kjo u pasua nga një mbledhje maratonë e Kryesisë së PD, e cila përfundoi mëngjesin e së martës.
Tetë drejtues të tjerë, të cilët si zoti Berisha kanë vënë në dyshim legjitimitetin e lidershipit aktual të partisë, Luzlim Basha, janë përjashtuar gjithashtu nga partia.
Përplasja e hapur mes Luzlim Bashës dhe Sali Berishës u përshkallëzua të shtunën, kur mijëra mbështetës të këtij të fundit sulmuan zyrat e partisë. Megjithatë, ata nuk mundën të hynin në zyrat e mbyllura të z. Basha. Shpërthyen incidente të shumta dhe policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit.
Sali Berisha ka njëzet vjet në skenën politike shqiptare. Ai ishte kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013. Kritikët e tij e akuzojnë për korrupsion dhe nepotizëm, si dhe për mashtrim të hapur elektoral. Gjatë ditëve të tij në presidencë (1992-1997) ai u akuzua se ka kontribuar në krijimin e një përplasje civile në vend.
Luzlim Basha mori kryesinë e Partisë Demokratike në vitin 2013, duke pasuar Sali Berishën, i cili dha dorëheqjen pasi pësoi një humbje të rëndë elektorale atë vit. Në shtator, Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar i partisë me një vendim të z. Basha.
Në fillim të vitit të kaluar, qeveria amerikane njoftoi se e kishte ndaluar politikanin veteran të hynte në territorin amerikan për shkak të akuzave për korrupsion ndaj tij.




