"Ke frikë ta lësh te edukatorja" Kur një i panjohur përkëdhel fëmijën, qytetarët: Mos të prekë as miza

Tradita shqiptare dhe ajo mesdhetare në përgjithësi karakterizohet nga njerëz të ngrohtë, të afërt, që përshëndeten me dhënie duarsh, përqafime, e puthje.

Por si reagojnë shqiptarët kur një i panjohur u përkëdhel fëmijën, nipin, apo mbesën?

Kjo ishte tema e rubrikës Vox Pop në emisionin "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora.

Disa qytetarë pohojnë për mikrofonin e Rtv Ora se nuk e kanë problem që një i panjohur tu përkëdhelë mbesën, nipin, apo fëmijën, sigurisht nëse dhe ata janë prezentë.

"Nuk e kam problem, por duhet të jem dhe unë aty", tha një qytetare.

Megjithatë të shumtë ishin qytetarët që u shprehën kundra kësaj praktike.

Ja disa përgjigje nga terreni dhe nga mesazhet e qytetarëve për pyetjen e Vox Pop.

"Ke frikë ta lësh dhe te edukatorja, nuk do bëjë fëmijë, kur të martohem."

"Është shumë e vështirë të rrisësh fëmijë sot."

"Nuk do të lejoja të përkëdhelte as miza fëmijën tim.  Nuk do të lejoja askënd të prekte fëmijën tim."

"Mjafton fjala e ëmbël për fëmijën, nuk ka nevojë për prekje."

"Vetëm në Shqipëri shqiptarët i prekin dhe i puthin fëmijët e të tjerëve."

"Do lejoja vetëm Sali Berishën, sepse ai është paqësor."

"Nuk do lejoja askënd të prekë fëmijën tim, jo vetëm të panjohurit por edhe të njohurit."

"Në Tiranë nuk do lejoja asnjë, në rrethe po."