"Opozita është dobësuar deri në kufijtë e shkatërrimit", Çobani: Kjo i jep një asist Edi Ramës

Rreth 3 orë protestë dhe tentativa për të hyrë brenda selisë së PD-së, ditën e djeshme 8 janar, selia e Partisë Demokratike u kthye në arenë dhune mes vetë demokratëve. Mbështetësit e Berishës hapën portën kryesore, por nuk hynë dot në seli. Basha kërkoi ndihmën e institucioneve për të shpërndarë protestuesit, dhe policia nuk kurseu gazin lotsjellës as ndaj gazetarëve dhe operatorëve.

Gazetari Genci Çobani në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava situatën në PD e sheh si tragjike dhe njëherëzi komike.

Çobani: Kur diçka është komike dhe tragjike në të njëjtën kohë, tragjizmi bëhet edhe më i rëndë, më i theksuar. Nuk është problemi se Berisha po grindet me Bashën, por opozita është dobësuar deri në kufijtë e shkatërrimit. Tashmë janë dy grupe që do t'i rrëmbejnë votat njëri-tjetrit nëse bëhen 2 parti në të ardhmen. Nuk duhet ta mohojmë që Berisha ka shumë përkrahës. Nëse zoti Berisha ka dalë në këtë fushatë me tezën që "ky njeri na ka çuar nga humbja në humbje" atëherë si mund të fitohen këto zgjedhje duke e ndarë opozitën në dysh. Berisha dhe Basha i kanë dhënë një asist Edi Ramës që të forcohet me ndihmën e PD.

Sipas gazetarit kjo çështje nxjerr në pah edhe një problem tjetër i cili ka të bëjë me legjislacionin. Sipas tij, në këtë rast zgjidhjen duhet ta japë Gjykata.

Çobani: Gjykata duhet të veprojë shumë shpejt, është ajo që do ta zgjidhë kush ka të drejtë nga të dyja palët. Nuk na takon as ne si gazetarë, as militantëve.

Ai shtoi se kjo që po ndodh është tragjike dhe PD është ndarë përfundimisht.

Çobani: PD është ndarë përfundimisht dhe çfarëdo që të ndodhë ky është një asist për Partinë Socialiste. Në të vërtetë PD po tregon plagët e rënda që ka një shoqëri që hyn në post liderizëm. Partitë shqiptare ende nuk janë përgatitur të mos kenë një lider, kështu jemi mësuar ne. Dhe gjatë këtyre viteve që zoti Basha ka qenë në krye të PD-së ai nuk ka mundur të bëhet lider sepse ishte lideri tjetër në hije, zoti Berisha. Shoqëria shqiptare ende nuk është gati që partitë e saj të mos jenë parti liderash, por të jenë parti programesh, pra çfarë përfaqëson kjo parti.  

Më tej Çobani tha se duhet pranuar që Basha është aty ku është falë zotit Berisha.

Çobani: Duam apo s'duam ta pranojmë kjo është e vërteta. Ai po tenton të shkëputet prej tij për tu bërë një lider, por kalimi i një partie nga një etapë në një etapë më moderne gjithmonë bëhet me dhimbje dhe me kosto të mëdha. Në këtë mes dhimbjen po e mban mbi supe PD-ja. 

Sipas tij, ai që përfitoi nga situata e ndodhur në PD është Edi Rama.