Këlliçi denoncon nga Trauma: Alban Hoxha u dhunua nga policia, 30 forca për të marrë një person të çarë në kokë

Alban Hoxha, kreu i grupseksionit të PD në Kombinat që mbeti i plagosur rëndë në protestën e sotme është shoqëruar në komisariatin numër 3 për të bërë deponimin e tij në polici.

Deputeti Belind Këlliçi denoncoi se ai është dhunuar nga policia, teksa shtoi se do ta shoqërojë vet personalisht.

Këlliçi: Jam këtu për shkak të kësaj ngjarje, është Alban Hoxha, kryetar i një prej grupseksioneve më të rëndësishme në Kombinat. Nuk më lejon policia që Albani të flasë këtu. Është goditur brenda rrethimit të PD nga uniforma të policisë së shtetit. Është çarë, ëhstë goditur në ballë. Nuk vjen dot OPGJ por duhet të shkojë i plagosuri me kokën e çarë në komisariat. Në vend që të kujdesen për gjendjen e tij shëndetësore kanë ardhur 15 forca policie për të marrë një person të fashuar. I është bërë një skaner dhe policia e paska të nevojshme ta shoqërojë kaq shpejt.

Këlliçi tha se janë 30 protestues të shoqëruar në komisariate të ndryshme në kryeqytet.

Këlliçi: Janë dërguar avokatë në çdo komisariat. Ka të mitur mes të shoqëruarve, kam informacion se u bëhet presion.