“Shpejtësi e çmenduri” në tunelin e Kalimashit, parakalimi i gabuar shkak për aksidentin me 1 viktimë e 4 të plagosur

Një tentativë parakalimi në kushtet e shpejtësisë së lartë, dyshohet se është shkaku i aksidentit me 1 viktimë e 4 të plagosur, të premten në tunelin e Kalimashit. Përplasja fatale e dy makinave u filmua nga kamerat e sigurisë.

Këto pamje tregojnë aksidentin tragjik të shënuar mbrëmjen e së premtes brenda tunelit të Kalimashit, ku një vajzë e re humbi jetën dhe katër persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në aksident u përfshinë makina me targa shqiptare AB 214 EP, me drejtues Gjino Malci, nga Shkopeti, dhe mjeti me targa italiane FB 282 FN që drejtohej nga shqiptari nga Kosova, Bexhet Zeneli.

Siç tregojnë pamjet e kamerave të sigurisë së tunelit, mjeti me targa shqiptare godet nga pas me shpejtësi makinën tjetër dhe dy dyja rrotullohen në rrugë për disa metra.

Si pasojë e aksidentit ndërroi jetë në vend Ediona Sala.

Ajo udhëtonte si pasagjerëe në makinën e drejtuar nga Gjino Malci, i cili mbeti io plagosur sikurse Sandër Beka, Mariglen Gjoka dhe Mihrije Zeneli nga Kosova.

Ata morën ndihmën e parë në spitalin e Kukësit nga ku më pas Malci e Bega u sollën për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, ku mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë.

Ediona Sala ishte viktima e dytë e aksidenteve në rrugët e vendit të premten.

Më herët 29-vjeçari Isa Kotrri humbi jetën, pasi makina me të cilën udhëtonte doli nga rruga aksin Shkodër-Velipojë.

Ndërkohë të paktën 13 persona mbetën të plagosur për pasojë të disa aksidenteve, ku shkaku kryesor ishte shpejtësia.