“Fortifikohet” PD-ja, Grida Duma e shoqëruar nga truproje futet nga hyrja dytësore e selisë

Ish-kryeministri Berisha ka thirrur një protestë në oborrin e selisë së PD-së ditën e sotme në orën 12:00, ndërsa partia është “fortifikuar” me masa shtesë.

Ndërkohë, zyrtarët e lartë të partisë të kampit Basha futen në godinë përmes hyrjes dytësore të selisë së PD-së.

Mes tyre që është futur nga kjo derë, që në media ka dalë se po ashtu është përforcuar me struktura hekura nga pas, ka qenë edhe nën kryetarja e PD-së, Grida Duma.

Duma ka zbritur nga mika e saj fare pranë kësaj hyrje dhe sikurse duket edhe në pamje është e shoqëruar nga disa persona që duken si truproje.

Nga ana tjetër, protestuesit janë duke u mbledhur pak nga pak nga të gjitha qytetet e vendit, ndërsa kryedemokrati Basha ka shkuar në selinë blu mëngjesin e sotëm.

Ashtu sikurse njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në orën 11:00 do të mblidhet në selinë e PD Kolegji i Kryetarëve, ku do të diskutohet mbi zbatimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit.

Pas takimit me Kolegjin e Kryetarëve, Basha do të mbledhë edhe Kryesinë për të miratuar programin e diskutuar nga Kolegji.