Salianji, Duma…deputetët po braktisin Bashën? Nesho: Përfaqësuesit e popullit shkojnë drejt rrymës kryesore

Që kur ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non grata nga SHBA dhe më pas kur u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, tashmë për opinionin është e qartë se kush janë mbështetësit e Berishës dhe kryetarit Lulzim Basha.

Por nuk kanë munguar dhe deputetët që në njëfarë mënyrë nuk kanë dashur të pozicionohen duke qëndruar neutralë.

Por ditët e fundit ajo që bie në sy është mosprezenca në media e disa deputetëve që kanë qenë shumë aktiv pro zotit Basha, si Salianji apo Grida Duma.

Diplomati Agim Nesho i ftuar në Rtv Ora nuk di të ketë ndodhur një reflektim i tillë, por nënvizon se përfaqësuesit e popullit nuk kanë rrugë tjetër përpos se të ndjekin rrymën e shumicës.

"Nuk e di që ka ndodhur një reflektim i tillë, nuk dua ti paragjykoj. Vlerësoj një pjesë të grupit të PD nga të dy krahët, janë me cilësi shumë të mira, njerëz intelektualë që kanë kontributet e tyre. Është logjika që çon në fund të fundit në zgjidhjen e problemeve. Nuk mund të shkohet kundër rrymës. Shumica e deputetëve për një kohë të shkurtër do të fillojnë të konvergjojnë nga një anë e caktuar, është e drejta, shumica, vullneti i tyre që i kanë zgjedhur këta përfaqësues, nuk janë individë të shquar që mund të spekulojnë me personalitetin e tyre të vetëm. Janë përfaqësues të popullit dhe do shkojnë drejt rrymës kryesore të zhvillimit të çështjeve".

Në intervistën për gazetaren Beti Njuma ai thotë se nuk i kanë lënë shije të mirë pamjet e ditëve të fundit nga selia e PD, ku deputetët e kësaj force politike nuk janë lejuar të futen brenda.

"Kur shikon anëtarë të parlamentit të asaj force politike por edhe individë të caktuar që kanë të drejtën të hyjnë në partinë e tyre krijon një irritim që mund të prodhojë dhe një reaksion. Njerëzit që kërkojnë që ky reaksion të jetë platforma e tyre e ardhshme politike në luftën brenda partisë së tyre më duket joproduktive dhe e papranueshme".

Dhe pse duket e pamundur, ai beson te një zgjidhje e kësaj situate.

"Unë mendoj që do ketë një zgjidhje, më e mira është zgjidhja e kompromisit që për fat të keq brenda PD nuk u gjet një e tillë. Nuk është thjesht një lëvizje partiake. Në momentin që mendohet se qëllimi i kryesor i kësaj lëvizje është partia, kjo lëvizje merr fund".

Lidhur me protestën e ditës së nesërme, Nesho thotë se do të ishte një gabim i pushtetit nëse ndërhyn me polici.

"Do ishte gabim i pandreqshëm për regjimin.Nëse regjimi kompromentohet në një lëvizje të brendshme brenda partisë ai do marrë kosto. Zemërimi që kanë për të zbatuar një vendim të Kuvendit të tyre do të transferohet. Me të drejtë regjimi është i frikësuar".